Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së, pas thashethemeve se hakerët nga RMV dyshohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në Venezuelë, njoftoi se shfaqja e IP adresave maqedonase nuk do të thotë se ato vijnë nga Maqedonia e Veriut.

“Lidhur me raportet për deklaratat e supozuara të autoriteteve në Venezuelë se gjoja hakerime, sulme Ddos nga përdoruesit e IP adresave maqedonase kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve, Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin se Sektori i krimit kibernetik është duke monitoruar zhvillimet në lidhje me gjoja akuzat ndaj shtetasve maqedonas, por deri më tani nuk ka kërkesa nga autoritetet në Venezuelë për kontrolle të mëtejshme nga pala maqedonase”, thuhet në deklaratë.

MPB thekson se edhe shfaqja e IP adresave maqedonase në ndonjë sulm të supozuar nuk do të thotë se ato janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

“Nga përvoja e mëparshme, ekziston një probabilitet i lartë që të njëjtat adresa të përdorin VPN (rrjete private virtuale) ose të jenë pjesë e një rrjeti më të madh BotNet, domethënë ato vijnë nga të ashtuquajturat kompjuterë zombie të infektuar, të cilët janë komprometuar nga hakerët përmes viruseve kompjuterike ose malware dhe ata mund të kryejnë detyra të caktuara të kontrolluara nga distanca nga individë ose një grup hakerash të mundshëm. Viktimat më të shpeshta të kompjuterëve të tillë zombie janë njerëzit që nuk e dinë se sistemet e tyre kompjuterike janë të infektuara me softuer keqdashës dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre kryhen sulme DDoS, të cilat përfaqësojnë një përpjekje me qëllim të keq për të prishur trafikun normal të Internetit, shërbim apo rrjet për të hyrë në një objektiv të caktuar në të njëjtin moment me qëllim bllokimin, mbingarkesën e tij”, thuhet në reagimin e MPB-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *