
Zëvëndëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka njoftuar se drejtësi do të ketë për gjitha tragjeditë që kanë ndodhur.
“Koçani, ‘Besa trans’, Spitali modular në Tetovë, Llaskarca – shumë tragjedi të rënda me shumë viktima për një vend të vogël si Maqedonia e veriut! Shumë dhimbje e familje të mbështjella në zi e vajtim, e shumë pak drejtësi për viktimat! Teksa lutemi për të mbijetuarit dhe përgatitemi për t’ua dhënë lamtumirën atyre që u shuan tragjikisht më 16 mars, si Qeveri zotohemi se leksioni i hidhur i Koçanit është mësuar, se mesazhi është pranuar: shteti nuk do të qëndrojë më duarkryq dhe nuk do të lejojë që drejtësia të humbet e të devalvohet nëpër hilet institucionale të ndërtuara për të mbrojtur të paprekshmit!”, ka shkruar zëvëndëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Ai ka shtuar tutje se shteti do të veprojë e sipas kësaj edhe përgjegjësi do të ketë.
“Por shteti do të veprojë! Përgjegjësi do të ketë! Drejtësi do të ketë: për Koçanin, për ‘Besa transin’, për Spitalin e Tetovës, për Llaskarcën, për të gjitha tragjeditë të cilat kanë për shkak korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, dhe për pasojë kanë jetët e njerëzve!”, ka përfunduar zëvëndëskryeministri Mexhiti.