Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar ndaj pretendimeve të BDI-së lidhur me takimin me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shtrembërim të qëllimshëm të fakteve.
Në reagimin e tij, Gashi theksoi se Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë u prit me protokollin më të lartë shtetëror, një standard i paprecedentë në historinë e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai nënvizoi përkushtimin e tij për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve.
Sipas kryeparlamentarit, takimi ishte plotësisht transparent dhe i hapur për publikun dhe mediat, ndërsa fjalimi i tij u mbajt si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në maqedonase, duke respektuar me përpikëri ligjin, Kushtetutën dhe Rregulloren. Çdo deklaratë që sugjeron të kundërtën, sipas tij, është një akuzë e pabazuar dhe një fyerje ndaj institucionit të Kuvendit.
Gashi bëri thirrje që partitë opozitare të tregojnë më shumë kreativitet dhe konstruktivitet në veprimtarinë e tyre opozitare. Ai siguroi se mbetet i angazhuar për mbështetjen e çdo projekti konstruktiv që kontribuon në progresin dhe zhvillimin e vendit, pavarësisht përkatësisë politike.
Reagimi u publikua nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.