Shkup – Kryetari i Alternativës dhe pjesë e qeverisë në koalicionin VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka deklaruar mbështetje të plotë për bojkotin e thirrur nga qytetarët, duke e cilësuar atë si një të drejtë legjitime.

“Bojkoti është një e drejtë qytetare, dhe qytetarët kanë lirinë të vendosin vetë se si dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre,” ka shkruar Ibrahimi në një postim në Facebook.

Ai theksoi se qeveria VLEN do të angazhohet maksimalisht për të siguruar që të drejtat e qytetarëve të jenë prioritet, duke u mundësuar atyre të shprehin lirshëm pakënaqësitë dhe të bëjnë zgjedhje të informuara si konsumatorë.

Po ashtu, Ibrahimi premtoi masa konkrete për mbikëqyrjen e tregjeve, duke siguruar që çmimet të jenë të arsyeshme dhe të mos ketë abuzime nga ana e marketeve. Sipas tij, transparenca dhe drejtësia ekonomike janë thelbësore, dhe qeveria do të ndërmarrë hapa për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga praktikat e padrejta tregtare.

Ky qëndrim i qeverisë VLEN vjen në një kohë kur qytetarët kanë ngritur shqetësime për rritjen e çmimeve dhe mungesën e kontrollit në treg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *