Përkundër dallimeve dhe hatërmbetjeve të kaluara, opozita shqiptare është bashkuar për një interes më të madh kombëtar, kundër një zullumi më të madh, për t’i mundur miqtë e Aleksandar Vuçiqit e vëllezërit e Aleksandar Sorosit. Kështu porositi sot nga Çairi Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, teksa foli për bashkimin historik të opozitës shqiptare në koalicionin VLEN.

“E kemi tejkaluar veten dhe e kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit për shkak se ka nevojë ta fitojmë mikun e Aleksandar Vuçiqit dhe vëllain e Aleksandar Sorosit”, tha Ibrahimi.

Ai shtroi pyetje publike për kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, se për çfarë shqetësohet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për fatin e BDI-së në zgjedhjet e 8 majit.

“Çfarë është ajo punë që e ka shkaktuar atë dhimbje të Vuçiqit se po humb Ali Ahmeti këtu?! A ka të bëjë kjo punë me ato dosje të shërbimit të UDBA-s që i nxjerrte një kohë Menduh Thaçi? A ka të bëjë me çështjet e biznesit të Soravias e që lidhen me familjen e tij? A ka të bëjë me çështje të zeza, që janë të panjohura e që ka mundësi të publikohen? Apo është e lidhur me çështje të sigurisë ushtarake që kanë të bëjnë me emrat e ish-ministrave të mbrojtjes, Fatmir Besimi e Talat Xhaferi?”

Ibrahimi drejtoi pyetje publike edhe për Ministrin Artan Grubi, lidhur me dyshimet se atij i është refuzuar viza për në SHBA.

“Mua më duhet ta pyes edhe një here Artan Grubin, a ka vizë amerikane apo s’ka?! E nëse ka, është mirë ta publikojë, ndërsa nëse nuk ka, për çfarë dyshojmë ne, është mirë të japë shpjegim se për çfarë arsye nuk ka, cila është arsyeja e sigurisë që e ka ndaluar të ketë vizë amerikane?”, pyeti Ibrahimi.

Para disa ditësh, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë të paprecedentë, duke u shprehur i shqetësuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po ndihmon opozitën shqiptare për ta mundur Ali Ahmetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *