Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, u është përgjigjur “shqetësimeve” të BDI-së se me kë do të bëjë koalicion Lidhja Europiane për Ndryshim pas fitores në zgjedhjet e 8 majit. Ai kërkoi nga qytetarët që ta votojnë masivisht opozitën dhe të mos mërziten se kush fiton në kampin politik maqedonas.
“I kam parë se janë shumë të shqetësuar se a do të bëni qeveri me VMRO-në, apo me LSDM-në, me këtë apo me atë. Ata të cilët 10 vjet ishin në qeveri me Nikolla Gruevskin, e që e bënë tash këtë Kodin Penal që të mund të kthehet Nikolla Gruevski, tash e kanë çështjen se a do të bëjmë ne qeveri me VMRO-në. Unë atyre nuk e kam ndërmend tu përgjigjem, por për shqiptarët e kam një thirrje: Jepini opozitës shqiptare 20 deputetë dhe fleni rehat!”, tha Ibrahimi.
Ai përsëriti se një fitore e madhe e opozitës do t’i japë fuqi për t’u përballur politikisht me këdo që fiton në kampin maqedonas.
“Jepini opozitës shqiptare 20 deputetë dhe s’ka dert se ai andej a quhet Hristijan apo Dimitar. Fleni rehat sepse pastaj atë punë e zgjidhim ne”, theksoi Ibrahimi.