Zeqirija Ibrahimi, lider i Alternativës në Intervistën e ditës të Alsat-M komentoi ndarjen e fondeve për komunat shqiptare duke theksuar se qeverisja VLEN nuk ka shikuar përkatësinë partiake të udhëheqësisë së komunave, sidomos atyre shqiptare, por ka parë interesin dhe nevojat e tyre si shqiptarë.
“ Nuk bëhet fjalë për asnjë gabim. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm të cilin vetëm ata që duan të shohin zi që nuk e vërejnë. Për hir të vërtetës opinioni shqiptarë në vendin tonë nuk mban mend që në të kaluarën ka pasur një ndarje të këtillë të fondeve për zhvillim të veçantë të komunave, e aq më pak të komunave shqiptare. Andaj, ankesat që kanë të bëjnë se kësaj komune i kanë dhënë më pak ose më shumë ato vetëm e pohojnë faktin se shumë komunave u kanë dhënë shumë fonde. Edhe tashmë nuk është fare e kontestuar ajo se a janë ndarë fonde për komunat, por është çështje se nga sa fonde janë ndarë për një komunë dhe nga sa fonde për një komunë tjetër. Unë e kam edhe pasqyrën e përgjithshme nga sa fonde janë ndarë dhe ju mund ta shihni edhe vet që komunat shqiptare që udhëhiqen nga koalicioni VLEN nuk kanë qenë të priviligjeruara. Fjala bie në Komunën e Strugës ju keni një kryetar të BDI-së , e cila si komunë në këtë rast merr fonde më shumë se komuna e Tetovës. Të mos flasim që Komuna e Zhelinës është e fundit e radhitur në mesin e komunave shqiptare që marrin fonde nga qeveria. Andaj janë të ndryshme akuzat, por e vërteta është që për 120 dite qeverisje të koalicionit VLEN po ndahen fonde prej 100 milion euro për zhvillim të komunave, prej të cilave mbi 20 milion euro vetëm për komunat shqiptare. Unë të paktën që e ndjeki për shumë vite edhe politikën nuk kam parë që gjatë qeverisjeve të kaluara, dikush të ketë ndarë fonde të veçanta për zhvillim të komunave, aq më pak të komunave shqiptare. Fjala bie, në Komunën e Dibrës, komunë që udhëhiqet nga BDI-ja, opinioni e di aty janë ndarë 424.000 euro për rindërtimin e rrugëve dhe të kanalizimit atmosferik në rrugën Petre Popovski dhe Zdravko Cokovski. E për hir të vërtetës duhet ta them që BDI-ja ka 10 vite që ka premtuar ta zgjidh këtë çështje e nuk ka arritur që ta zgjidh”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *