
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski tha se balancuesi si mjet është ezauruar dhe se i ka shkelur dispozitat kushtetuese për lirinë e shprehjes së përkatësisë kombëtare, disponueshmërinë e çdo vendi të punës, si dhe ndalimin e diskriminimit. VLEN njofton se për pesë-gjashtë javë do të dorëzojnë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë si zëvendësim për balancuesin.
Balancuesi, mjet i cili është përdorur gjatë punësimit në administratën publike për të pasur përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive etnike, është duke u shfuqizuar, vendosi sot (9 tetor) Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut.
Heqja e balancuesit vjen pasi më herët më 18 shtator, gjyqtarët kushtetues vendosën hapjen e një çështjeje dhe “ngrirjen” përkohësisht të përdorimit të balancuesit në pritje të vendimit përfundimtar të sotëm.
Kryetari i Kushteteueses, gjyqtari Darko Kostadinovski, tha se vendimi që ata e kanë marrë është ekskluzivisht i bazuar në analizë kushtetuese-juridike.
“Çdo veprim pohues ka karakter të përkohshëm deri në arritjen e qëllimit legjitim. Kur arrihet qëllimi legjitim, ai fillon të prodhojë diskriminim klasik. Ky është rasti me temën tonë. Kjo masë [balancuesi] në vitin 2001 është ajo që ne në Kushtetutë e quajmë të nevojshme dhe të patjetërsueshme sepse sistemi ynë atëherë kishte një anomali. Masa ishte e nevojshme dhe e patjetërsueshme. Por lind pyetja, a është ajo e harxhuar? Raportet e shumta e kanë treguar këtë”, tha Kostadinovski, i cili si shembull i përmendi indikacionet e Komisionit Evropian.
Ai tha se është e padiskutueshme që përfaqësimi i drejtë bazohet në Kushtetutë. Por nga ana tjetër, Kushtetuta garanton edhe lirinë e shprehjes së kombësisë dhe kushte të barabarta për disponueshmërinë e çdo vendi pune, si dhe ndalimin e diskriminimit mbi çdo bazë.
“Si pjesëtar, le të themi, i një prej komuniteteve më të vogla, nuk kam të drejtë të aplikoj për punë. Për shembull, unë si VLLEH nuk mund të konkurroj në një konkurs ku kërkohet punësimi i një TURKU. Unë pyes, a mund të aplikoj unë si qytetar i këtij vendi në të cilin Kushtetuta më garanton këtë të drejtë, të aplikoj për atë vend pune? Jo. ndërsa Kushtetuta më thotë se çdo vend pune më është në dispozicion në të njëjtat kushte”, tha Kostadinovski.
“Politikanët nuk duhet të etnizojnë dhe politizojnë vendimet e gjykatave”
Kostadinovski, një pjesë të madhe të fjalimit të tij pas vendimit ia kushtoi mesazheve se Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë vendimin me urdhër të askujt dhe pa asnjë ndikim.
“Manipulimi është se gjykata me veprimin e saj në këtë apo në ndonjë rast tjetër mund të prishë marrëdhëniet etnike ose të jetë rast për destabilizimin. “Politikanët nuk duhet të etnizojnë dhe politizojnë vendimet”, tha Kostadinovski.
Vendimi është votuar me dyer të mbyllura dhe është miratuar me shumicë votash. Kushtetuesja ka nëntë gjyqtarë. Prej tyre, sipas kombësisë, gjashtë janë maqedonas, dy shqiptarë dhe një turk.
Heqja e balancuesit është një çështje që ka ngjallur debate publike prej kohësh. Pavarësisht se disa nga aktorët politikë dolën me komente se është simptomatike që hapja e kësaj çështje me Kushtetutë vjen në fillim të mandatit të Qeverisë së re dhe hodhën dyshime se ishte e ndikuar politikisht, të gjitha partitë politike janë dakord që balancuesi tashmë është konsumuar, ka dhënë rezultate në vitet e para, por më vonë filloi të abuzohej.
Ligji për Përfaqësim të Drejtë do të jetë së shpejti në Kuvend
Ndërkohë, VLEN-i bën të ditur se së shpejti do të propozohet zyrtarisht Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë, i cili deri më tani është paraqitur si një zgjidhje që do të përmirësojë balancuesin.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Halil Snopçe, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ligjin do ta propozojnë.
“Ai është gati, ne e kemi draftin. Ne mund ta propozojmë sot, por duam të bëjmë një debat publik me profesionistë dhe ekspertë për të marrë parasysh vërejtjet e tyre, për të mos bërë asnjë gabim sepse është një ligj i ndjeshëm dhe për të mos gabuar. Pra, qëllimi është përfshirja e ekspertëve dhe më pas propozimi. Ne nuk duam të bëjmë fushatë politike me të, por ta zgjidhim problemin”, thotë Snopce për Radion Evropa e Lirë.
Në mënyrë optimale, siç thotë ai, mund të pritet që Ligji të propozohet zyrtarisht për pesë deri në gjashtë javë.
Deputeti pret që të gjitha partitë politike ta mbështesin zgjidhjen e re ligjore, duke qenë se të gjitha deklaruan se janë pro heqjes së balancuesit për shkak të abuzimeve.
Më herët, zëvendëskryeministri i parë Izet Majiti, nga radhët e koalicionit VLEN, në një intervistë për REL tha se në mesin e partnerëve të koalicionit në qeveri tashmë ka marrëveshje për një ligj të tillë.