Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Aleksandra Papadopolu. Siç njofton kabineti i Gashit, zëvendësministren greke kanë shkëmbyer mendime për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet të dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe për procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Kryetari Gashi konkludoi se të dy vendet janë në rrugë shumë të mirë në avancimin e marrëdhënieve bilaterale, duke pasur parasysh bashkëpunimin dhe komunikimin intensiv midis qytetarëve, në fushën e ekonomisë dhe turizmit, me potenciale për intensifikimin në infrastrukturën rrugore, energjetikën, arsimin, kulturën dhe në të gjitha fushat e tjera me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Kryetari Gashi e ka falënderuar Greqinë për mbështetjen e saj në procesin e integrimit evropian të vendit, pas anëtarësimit në NATO, që është rezultat, siç tha, i Marrëveshjes së Prespës.
Diplomatja greke nga ana tjetër tha se Maqedonia e Veriut mund ta konsiderojë vend mik Greqinë.
“Zëvendësministrja e MPJ-së greke ka uruar Kryetarin Gashi për zgjedhjen e tij në këtë funksion, duke thënë se Maqedonia e Veriut ka mik të sinqertë Greqinë. Ky, tha Papadopolu, është mesazhi që po juа sjell nga e gjithë lidershipi i Greqisë – se ne jemi miq, fqinjë, aleatë, partnerë në NATO dhe një ditë do të jemi edhe partnerë në BE”, njofton kabineti i Gashit.