Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, theksoi se pas fitores së 8 majit do të hapet kapitull i ri politik për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së zgjerimit të koalicionit opozitar VLEN, Gashi numëroi disa nga prioritetet e koalicionit pas fitores në zgjedhje: mirëqenia, integrimi, arsimi, familja dhe shteti ligjor.
“Tash, kur prej fitores na ndajnë më pak se tre muaj dhe kur nga kjo fitore është tmerruar edhe Vuçiqi, ky është një lajm i mirë se kështu po hapet një kapitull i ri i shpresës për mirëqenie, për integrim, për arsim cilësor, për familje të shëndoshë dhe për shtet të konsoliduar ligjor. Këtë barrë e kemi marrë ne dhe kjo është arsyeja që ne u bëmë bashkë”, tha kreu i Alternativës, Afrim Gashi.
Ai ftoi të gjithë shqiptarët që të bashkohen në fitoren e opozitës e cila po duket në horizont.
“Në frymë të kësaj feste që jemi sot dhe në frymë të brohorimës së fitores që po duket në horizont, pasi që ne jemi bashkuar, unë dua t’i ftoj të gjithë shqiptarët, por jo vetëm, të na bashkohen dhe bashkërisht ta bëjmë rotacionin politik edhe në kampin shqiptar. Koha është për një faqe të re, për rrëfim të ri, për diçka që VLEN dhe që gjurmë len”, theksoi Gashi.
Lidhja Europiane për Ndryshim u ribrendua në VLEN pas zgjerimit të frontit opozitar. Pjesë e saj tashmë janë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët dhe aktivistë të Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut.