Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij, para fillimit të interpelancës, tha se cdo bartës i funksionit shtetëror duhet të jetë i mësuar të jep llogari për veprimet e tij.

Më poshtë ju sjellim edhe fjalimin e tij të plotë:

Çdo bartës i funksionit shtetëror duhet të jetë mësuar të japë llogari për veprimet e tij, por secili prej nesh duhet, gjithashtu, të jetë i gatshëm edhe të dëgjojë, të diskutojë dhe të shprehë qëndrime. Demokracia është pikërisht kjo – mundësi për t’i dëgjuar mendimet e kundërta.

Në të vërtetë, fakti që sot në seancën e parë plenare të re të Kuvendit, e kemi vendosur në rend dite interpelancën, sigurisht duke e respektuar Rregulloren e re, kjo është risi e kulturës demokratike të Kuvendit tonë, sepse – siç e dini – në të kaluarën pothuajse të gjitha iniciativat për interpelanca përfundonin nëpër labirintet procedurale, ndërsa disa prej tyre nuk e panë kurrë dritën e diellit.

Prandaj, si Kryetar i Kuvendit, i falënderoj deputetët që e parashtruan këtë interpelancë, e cila i referohet punës sime për këto tre muaj. Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur të qartësohen të gjitha paqartësitë dhe shqetësimet, nëse ka të tilla, sepse qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë të kenë përgjigje të saktë dhe transparente në çdo kohë.

Prandaj, edhe vendosa që mos të dekalrohem me shkrim lidhur me interpelancën, por t’ju drejtohem drejtpërdrejt, këtu, në këtë sallë, para deputetëve, para syve të publikut.

Parlamenti është vendi ku duhet të ketë llogaridhënie, ndërsa qytetarët janë ata që e japin gjykimin përfundimtar. Dua të flas hapur dhe sinqerisht për të gjitha çështjet, sepse jam njeri që nuk fsheh asgjë dhe nuk fshihet prej askujt, por dëshiron qasje të hapur për të gjitha çështjet.

Kur jam këtu, dëshiroj që publikisht t’i parashtroj këto pyetje: “Pse kjo interpelancë?” Kujt i shërben? Për çfarë qëllimi?“.

Jam i sigurt se përgjigjet e këtyre pyetjeve e japin thelbin e kësaj interpelance, përkatësisht motivet e atyre që qëndrojnë pas saj – ideologjinë, kornizën politike dhe vizionin e tyre për të ardhmen tonë të përbashkët.

“Levica” është partia që ideologjikisht, me aspektin e vet social, duhet të bashkojë dhe ta ushqejë popullin me idenë e barazisë. Kështu është teoretikisht, por, për fat të keq, në realitet është partia që shumë shpesh me qëndrimet e saj profilizohet në ekstremin e djathtë. Nuk po flasim këtu që pikërisht lëvizjet e tilla ideologjike në të kaluarën kanë prodhuar pamje dhe kujtime të errëta për mbarë botën. Ideologji në teori dhe krejtësisht tjetër në praktikë është diçka që nuk i shpreh motivet e vërteta të përfaqësuesve të kësaj partie. Të jesh i zëshëm, të jesh i dukshëm, është plotësisht legjitime, por të krijosh përçarje në një vend ku të gjithë luftojmë për barazi është keq për vendin dhe për rininë që nuk duhet të entuziazmohet me patriotizmin e rremë të mbështjellë me kuazi-nacionalizëm.

Ne të gjithë flasim me zë të lartë për BE-në, qytetarët flasin për bashkëjetesën, të gjithë themi se jemi këtu bashkë në të mirë e në të keqe, ndërsa vetëm kjo parti flet kundër tre shtyllave themelore të shoqërisë sonë – orientimin tonë euroatlantik, përkushtimin tonë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përkushtimin tonë për harmoninë ndëretnike. Është shumë keq kur luan me kartën e nacionalizmit, të gjykimit të tjetrit, pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet. Por, sot jam këtu nga kjo foltore për të shprehur qëndrimin tim.

Investimi për të ardhmen e këtij vendi, ku dikush dëshiron ndarje me çdo kusht, mund të përfundojë me pasoja fatale për të gjithë ne. Për këtë arsye ky është investim shumë i lartë për t’u injoruar. Nuk nevojitet kuptim i thellë i politikës për të parë se ata që e kundërshtojnë rrugën tonë euroatlantike, që i prishin marrëdhëniet tona me vendet fqinje dhe që e rrezikojnë kohezionin tonë të brendshëm etnik, në fakt punojnë kundër vetë ekzistencës së vendit tonë.

Nëse e keni lexuar me kujdes tekstin e interpelancës, ai është plot me albanofobi, ai është plot me islamofobi, plot me akuza të pabaza që e mbështesin kërkesën e tyre drejtuar kryeministrit aktual z. Mickoski “mos propozoni shqiptar për kryetar të Kuvendit dhe “Levica” do t’ju mbështesë”. Kjo i ngjan jo vetëm albanofobisë, por është më shumë se kaq. Kush e ka legjitimitetin në vendin tonë të gjykojë se një pjesëtar i një bashkësie etnike guxon ose nuk guxon të jetë kryetar i Kuvendit vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike? Nga vjen kjo urrejtje ndaj shqiptarëve për ta ndihmuar edhe kundërshtarin politik vetëm që shqiptari mos të jetë në pozitën e tillë?

Të nderuar kolegë deputetë dhe të nderuar qytetarë, të gjithë ne në këtë vend duhet të ndalojmë së luftuari për shkak të dallimeve tona, por përkundrazi, ato duhet t’i shohim si pasuri të madhe dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Dhe, derisa ne këtu diskutojmë se cila bashkësi etnike është më e mira, që është diskutim krejtësisht i pavlefshëm, fëmijët tanë po ikin nga ky vend.

Megjithëse interpelanca duket se gjoja mbështetet me argumente juridike, ajo është thjesht e motivuar politikisht dhe prandaj unë nuk isha i sigurt a duhet të jepen kundërargumente juridike. Parashtruesit, të cilët përmes saj duan të fitojnë pikë politike, mbase edhe nuk e meritojnë këtë, por dëshiroj që megjithatë të jetë plotësisht e qartë për qytetarët se ato argumente nuk janë aspak të qëndrueshme. Të shkojmë me radhë.

Në interpelancën e partisë “Levica”, si arsye e parë theksohet shkelja e shekularizmit të shtetit. Arsyeja e kësaj vërejtjeje është ngjarja që ishte organizuar më 12 korrik 2024 në Sallën “Boris Trajkovski” në Kuvend me rastin e shënimit të 11 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ajo ngjarje ishte organizuar nga organizata joqeveritare, ku ishin të ftuara shoqatat boshnjake në vendin tonë, si dhe deputetët, disa prej të cilëve morën pjesë në të. E përsëris ngjarje e një organizate joqeveritare me një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat e Srebrenicës. Dhe, kjo qenka shkelje e shekularizmit. Fatkeqësisht, më duhet të konstatoj se parashtruesit e interpelancës shfaqin mosnjohje ndaj nocionit shekularizëm kështu që i ngatërrojnë gjërat ose në mënyrë tendencioze ose për shkak të injorancës.

Të nderuar deputetë, për mua si njeri, ishte nder që vendi ynë dhe Kuvendi ynë iu bashkua botës së qytetëruar në shënimin e atij gjenocidi. Por, në vend që fokusi të jetë në dënimin e gjenocidit si akt i shëmtuar që duhet çdo ditë të na e përkujtojë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimit të së drejtës, bashkëjetesës, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, diçka për të cilën duhet të angazhohemi të gjithë, fokusi ishte orientuar në heshtjen njëminutëshe. Në atë ngjarje nuk kishte kurrfarë ceremonie fetare, nuk kishte klerikë, nuk kishte lutje të sqhiptuara publikisht, por kishte vetëm dënim të kryerësve të atij gjenocidi. E nëse kjo ju pengon, atëherë ky është problemi juaj.

Megjithatë, ju harroni se në nenin 19 me Amendamentin VII të Kushtetutës “Garantohet liria e besimit. Garantohet shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët”. Kush mund të jetë mbi Kushtetutën për shkak të bindjeve të tij nacional-socialiste?

Në lidhje me arsyen e dytë për parashtrimin e interpelancës – “Shkelja e rregullave diplomatike për sigurimin e personave VIP” si përgjigje mund të jap të njëjtën gjë që e deklarova menjëherë pas ngjarjeve në Aeroportin e Shkupit. Edhe atëherë deklarova se sigurimi im shkoi atje për ta qetësuar situatën në aeroport midis sigurimit të Presidentes së Kosovës dhe policisë së aeroportit, që të mos ketë incident. Angazhimi im, edhe sot edhe dje, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë të qetësoj, të bashkoj dhe të punoj për të gjithë qytetarët, e jo të ndahemi, të sulmohemi dhe të krijojmë incidente. Mjaft më me incidente, me përdorim të forcës, me arrogancë. Arroganca është shenjë e dobësisë.

Megjithatë, të gjithë ju duhet ta dini se, si Kryetar i Kuvendit, roli im përfshin këmbimin e informacioneve për lëvizjet e mia me ekipin tim të sigurimit, si pjesë e të drejtave dhe detyrimeve të mia. Ekipi i sigurimit, i caktuar për mua, është përgjegjës për sigurinë time. Kjo shpesh përfshin zbatimin e kontrolleve dhe vlerësimeve të sigurisë në lokacionet që i vizitoj ose që planifikoj t’i vizitoj. Prandaj, aty ku shkoj unë, së pari duhet të lëvizë pararoja. Kështu e parasheh ligji dhe këtë e ka për detyrim ta respektojë edhe Kryetari i Kuvendit.

Sido që të jetë, unë jam i kënaqur që kam reaguar në mënyrë njerëzore. Po të mos kishim reaguar, mund të kishim incident shumë më të madh. Vetëm në atë rast publiku dhe të gjitha palët e përfshira do ta kuptonin rëndësinë e reagimit tonë.

Prioriteti im ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë që ky incident nuk do të kontribuojë në përkeqësimin e marrëdhënieve midis vendit tonë dhe Kosovës, siç uroj që të mos kemi ndonjë rast tjetër që do t’i vinte në pikëpyetje marrëdhëniet e mira me ndonjë vend tjetër fqinj ose vend mik.

Megjithatë, “Levica”, për fat të keq, nuk mund të pajtohet me faktin se Maqedonia e Veriut e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ka marrëdhënie të shkëlqyeshme të fqinjësisë së mirë. Ajo është e vetmja parti që angazhohet publikisht për ta tërhequr njohjen e Kosovës.

Të nderuar zotërinj, unë nuk do të lejoj që albanofobinë dhe frustrimet ndaj Kosovës t’i zgjidhni përmes shpifjes për institucionin Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me arsyen e tretë – “Shkelja e përdorimit të gjuhës maqedonase”, ku theksohet se “në mënyrë tendencioze e përjashtoj nga përdorimi gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, dua të theksoj se puna ime është në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk jeni tendenciozë edhe në këtë pikë, ju propozoj të lexoni Amendamentin V të Kushtetutës, si dhe nenin 3 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku tema e gjuhës është përcaktuar saktë. Kjo është korniza juridike që unë e respektoj në punën time. Kur i kryesoj seancat e Kuvendit, e përdor edhe gjuhën maqedonase, edhe gjuhën shqipe, prandaj në asnjë rast nuk mund të thuhet se në mënyrë tendencioze e përjashtoj nga përdorimi gjuhën maqedonase në Kuvend.

Unë jo vetëm që e respektoj gjuhën maqedonase, por pa kurrfarë frustrimesh i përdor me krenari të dyja gjuhët. E nëse juve ju pengon gjuha shqipe, mua më vjen keq, por unë do ta respektoj Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren dhe do të flas edhe në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën maqedonase.

Arsyeja juaj e radhës për interpelancën është vendosja e flamurit të Republikës së Maqedonisë së Veriut bashkë me flamurin e NATO-s dhe me flamurin e BE-së në Sallën “Maqedonia”, në të cilën mbahen seancat e Kuvendit. Së pari, unë nuk i kam vendosur ata flamuj, këtë e di i gjithë opinioni. Por, sido që të jetë, kjo nuk është aspak në kundërshtim me Kushtetutën dhe as me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit. Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e plotfuqishme e NATO-s, ndërsa janë të njohura përpjekjet për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Megjithatë, edhe këtu më duhet të theksoj se angazhimi juaj kundër NATO-s është shumë më shqetësues. Me siguri edhe ju e dini se shumica absolute në vendin tonë është për anëtarësim në NATO dhe të gjithë ne e dimë se anëtarësimi i tillë e garanton paqen në rajon dhe në vendin tonë. E nëse ju jeni kundër kësaj dhe angazhoheni për agjenda të tjera, kjo është çështje shumë më alarmante.

Në lidhje me vërejtjen për mosrespektimin e Rregullores për verifikimin e mandateve, pa humbur kohë, do të thosha se në Seancën Konstitutive të Kuvendit të mbajtur më 28 maj 2024, u verifikuan mandatet e deputetëve të sapozgjedhur të përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, ndërsa Kuvendi konstaton se: “Kryetarit të Qeverisë dhe një pjese të caktuar të anëtarëve të Qeverisë, me verifikimin e mandatit për deputet, në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, u ndërpriten funksionet në Qeveri. Për të siguruar vazhdimësi në punën e Qeverisë, Qeveria do t’i ushtrojë vetëm funksionet më të domosdoshme deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.”

Në të vërtetë, seanca konstitutive është përgatitur nga kryesia e përbërjes së mëparshme parlamentare dhe është udhëhequr nga kryesuesja e përbërjes së re, siç parashikohet me Rregulloren e re, e jo nga unë. Megjithatë, ky konstatim nuk ndodh për herë të parë. Kështu shënimet për përbërjet e kaluara parlamentare flasin për situata të ngjashme në periudhën e mandatit 1998-2002, në periudhën e mandatit 2002-2006, në periudhën e mandatit 2006-2008, etj.

Në lidhje me vërejtjen për shkeljen e dispozitave ligjore dhe etike për antinepotizmin, më duhet të them se kam qenë i pranishëm në Seancën Parlamentare të Aleancës në Uashington me detyrë zyrtare, ndërsa në atë seancë ishin ftuar pikërisht kryetarët e kuvendeve të vendeve anëtare të NATO-s. Edhe këtu e theksuam aleancën tonë me NATO-n dhe ruajtjen e paqes.

Në lidhje me vërejtjen se ka pasur shkelje të dispozitave të Rregullores për punën rregullt të deputetëve, më duhet të theksoj se seancat e Kuvendit i konvokoj në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës dhe nenin 74 të Rregullores së Kuvendit, me ç’rast urgjenca për konvokimin e seancës në bazë të nenit 74 paragrafi 2 të Rregullores është arsyetuar në fillim të seancës. Nëse merren parasysh dispozitat e neneve 175 dhe 176 të Rregullores, mund të konstatohet qartë se Kryetari i Kuvendit nuk ka ndikim në procedurat e shkurtuara.

Aty ka edhe disa vërejtje për parkingun e Kuvendit, të cilat sigurisht nuk janë të denja për këtë foltore. Për ta bërë interpelancën më voluminoze, ndoshta duhej t’i kishit përmendur edhe disa gropa të vogla kur futeni në oborrin e Kuvendit. Ju lutem, shteti ka shërbime dhe institucione të tjera që janë kompetente për planifikimin hapësinor, për rregullimin e parkingjeve, për komunikacionin dhe kështu me radhë.

Në fund të këtij fjalimi mund të pohoj se këtu nuk bëhet fjalë për interpelancë ndaj Afrim Gashit, por ndaj profilit të një funksionari tjetër.

Kjo nuk është interpelancë ndaj Afrim Gashit, por është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të Kryetarit të Kuvendit.

Kjo nuk është interpelancë ndaj tejkalimit të autorizimeve të Kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë, por është interpelancë ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe angazhim për tërheqjen e njohjes së Republikës së Kosovës.

Kjo nuk është interpelancë ndaj gjoja shkeljes së Ligjit për gjuhët, por është interpelancë që shpreh frustrim dhe fobi ndaj gjuhës shqipe dhe përkatësisë etnike të Kryetarit të Kuvendit.

Kjo nuk është interpelancë ndaj flamurit të BE-së dhe NATO-s, por është interpelancë ndaj orientimit tonë strategjik.

Të nderuar, për mua gjëja më e rëndësishme në jetë është të mbetem faqebardhë dhe me shpirt të qetë. Nëse nuk e kemi këtë, është e kotë ta kemi të gjithë famën e botës, e lëre më ndonjë famë politike që kërkohet në këtë Kuvend përmes kësaj interpelance.

Të nderuar deputetë, interpelanca është para jush. Juve ju takon të diskutoni dhe të vendosni. Unë ju ftoj ta bëni këtë ekskluzivisht sipas bindjes suaj. Ju lutem vendosni me vetëdijen dhe ndërgjegjen tuaj dhe jini të sigurt se unë do ta respektoj vendimin tuaj, cilido qoftë ai.

Këtu përfundon fjalimi im. Unë nuk do të debatoj dhe nuk do t’i replikoj askujt. Për mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj seance, unë do të tërhiqem nga salla, sepse me praninë time ose kryesimin e seancës nuk dua të ndikoj në rrjedhën e saj. Sigurisht, do ta ndjek me shumë vëmendje seancën, çdo fjalim dhe çdo replikë. Megjithatë, dëshiroj që pa asnjë presion të diskutoni dhe të vendosni siç mendoni se është më e mira për vendin dhe për të gjithë qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *