Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, nga tubimi në Tetovë, ku Lidhja Europiane për Ndryshim nënshkroi deklaratën e koalicionit u shpreh se ky koalicion është ndërtuar si alternativë për ndryshime evropiane që nënkuptojnë ndryshime në sistemin vleor dhe demokratik, ndryshime në sistemin e drejtësisë, standardin e jetesës së qytetarëve, sistemin arsimor, kulturor social dhe shëndetësor.
“Thjesht, është koha e fundit që ne të fillojmë të besojmë se do të bëhemi qytetarë europianë madje edhe para se të bëhet Maqedonia e Veriut anëtare e Bashkimit Europian. Këtë e meritojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë, ndërsa shqiptarët e kanë ëndërr që ne e kemi marrë përsipër ta kthejmë në realitet. Mirëpo, duke u përballur me një pushtet që tashmë 20 vjet e ka refrenin plot me integrim, ndërsa strofat i ka të mbushura me korrupsion e me krim, më duhet të them se për ne beteja kundër korrupsionit është prioriteti ynë më i lartë. Përveçse vlerë europiane, kjo është para së gjithash kërkesë e jona e brendshme që, përmes sanksionimit kushtetues, të vendosim dispozita që të gjithë ata që janë të korruptuar në çfarëdo mënyrë asnjëherë të mos mund t’i ikin ligjit. E di se kjo bie ndesh me atë që e ka ndërtuar ky pushtet, por prandaj ne jemi Lidhje Europiane për Ndryshim. Ky është dallimi mes nesh dhe atyre”, ka deklaruar kryetarin i Alternativës, Afrim Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *