Faji për ngecjen e vendit në rrugën drejt BE-së vetëm formalisht qëndron tek Bullgaria. Kështu ka deklaruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në intervistën për Zhurnal, ku ka shtuar se me politikat e saja kjo qeveri ka ikur shumë larga nga rruga e integrimeve.
“I keni personat e listës së zezë, të afërt me këtë pushtet, por edhe aferat e korrupsionit, që e renditën Maqedoninë e Veriut ndër vendet më të korruptuara në botë, si dëshmi se ky pushtet integrimin e ka sllogan pa përmbajtje ose pankartë, në anën e prapme të së cilës fshihet prirja për manipulim me drejtësinë, si dhe korrupsioni i lartë. E kujtojmë këtu pastaj miratimin e Kodit Penal me flamur europian, për çka patëm vërejtje edhe nga aleatët tanë perëndimorë, me të cilin u stimulua korrupsioni dhe krimi, ndërsa shndërrimi i vendit në çerdhe të lojërave të fatit dhe stimulimi i tyre, që janë në pronësi të njerëzve të afërt me këtë pushtet, ka lënë shije të keqe jo vetëm te aleatët tanë në Bruksel, por aq më shumë tek ne si politikanë e si qytetarë”, ka deklaruar Gashi.
Ai tha se kjo qeveri ka shkarë krejt nga agjenda eurointegruese dhe krejt kjo çfarë llafosin është për përdorim medial.
“Megjithatë, kjo fatkeqësi i ka dy lajme të mira: i pari është se aleatët tanë i kanë lexuar ata dhe kjo po dëshmohet me listën e zezë amerikane dhe me vërejtjet serioze të Komisionit Europian, ndërsa lajmi i dytë i mirë është se krejt kjo përfundon më 8 maj, kur hapet një epokë e re e angazhimit serioz dhe pa ekuivoke për aderim në Bashkimin Europian”, ka deklaruar Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *