Danimarka njoftoi se po dyfishon mbështetjen e saj humanitare për civilët palestinezë me 75 milionë krona daneze (10,6 milionë dollarë), në përgjigje të situatës katastrofike në Gaza, transmeton Anadolu.

Mbështetja humanitare përqendrohet në mbrojtjen e fëmijëve, shpërndarjen e ndihmës urgjente dhe ushqimit, si dhe ofrimin e ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe kujdesit mjekësor për të sëmurët dhe të plagosurit.

Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, në Gaza janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë, ku më shumë se 4 mijë prej tyre janë fëmijë.

“Situata humanitare në Gaza është katastrofike dhe përkeqësohet dita-ditës. E njëjta vlen edhe për fëmijët. Prandaj, qeveria ka zgjedhur të mbështesë përpjekjet humanitare me një shtesë prej 75 milionë kronësh”, tha Dan Jorgensen, ministër për bashkëpunimin zhvillimor dhe politika klimatike globale.

“Me kontributin e ri humanitar, ne fokusohemi në mbështetjen e përpjekjeve që mund të ndihmojnë shumë fëmijë që janë goditur jashtëzakonisht rëndë. Përveç kësaj, ka ende një nevojë urgjente që civilët të ndihmohen me ndihma humanitare, qasje në ujë të pastër dhe trajtim të të sëmurëve dhe të plagosurve”, shtoi ai.

Në platformën e mediave sociale X, Ministria e Jashtme e Danimarkës njoftoi se paketa e re e ndihmës humanitare do të shpërndahet si më poshtë: 30 milionë krona (4,2 milionë dollarë) për UNICEF-in për mbrojtjen e fëmijëve, qasjen në ujë të pastër dhe higjienën, 20 milionë krona (2,8 milionë dollarë) për Programin Botëror të Ushqimit për iniciativat ushqimore dhe logjistikën, 9 milionë krona (1,28 milion dollarë) për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) për mbrojtjen e personave të zhvendosur, përfshirë fëmijët, dhe dhënien e ndihmës bazë emergjente, dhe 16 milionë krona (2,2 milionë dollarë) për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për shpërndarjen e barnave, pajisjeve mjekësore dhe kujdesit mjekësor.

Me këtë paketë, kontributi i përgjithshëm humanitar danez në Palestinë që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor në është 125 milionë krona (17,9 milionë dollarë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *