Shkup, 3 dhjetor 2024 – Kryesia Qendrore e partisë politike Alternativa, pas mbledhjes së saj të radhës, ka reaguar ndaj gjendjes së fundit politike dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut. Sipas kësaj partie, situata e sigurisë është tensionuar për shkak të veprimeve të grupeve destruktive opozitare, të cilat – siç thuhet në deklaratë – ende nuk e kanë pranuar pozitën e tyre në opozitë.

Alternativa vlerëson se incidentet e fundit kanë ndodhur në një kohë që përkon me sulmet serbe në veri të Kosovës, duke sugjeruar një ndërlidhje të qëllimshme.

Në deklaratën e saj, Alternativa dënon çdo veprim që dëmton qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, duke u bërë thirrje qytetarëve për maturi dhe për të mos rënë pre e provokimeve nga, siç i quan partia, “politikanë të dështuar”.

Po ashtu, partia ka përgëzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për veprimet e saj të matur dhe ka inkurajuar organet e rendit që të ruajnë sigurinë publike pa kompromis.

Ndër të tjera, Kryesia Qendrore e Alternativës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të mos ndërhyrë në të drejtën e avancuar të përdorimit të gjuhës shqipe, duke paralajmëruar se çdo goditje ndaj kësaj të drejte mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe procesin e integrimit europian të vendit.

Alternativa përmbyll deklaratën e saj duke kërkuar qetësi dhe pjekuri nga qytetarët dhe duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik dhe shoqëror në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *