Pronari i stacionit të kontrollit teknik “Pin Petrol” në Kumanovë, së bashku me dy nëpunëse – njëra e punësuar në Postën e Maqedonisë dhe tjetra në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore – dyshohet se kanë përvetësuar mbi 22 milionë denarë duke mos e paguar kompensimin ligjor ndaj ndërmarrjes për rrugët shtetërore, sipas Policisë Financiare.

Të dyshuarit ngarkohen për shpërdorim të pozitës zyrtare, përvetësim në shërbim dhe punë të papërgjegjshme. Sipas Policisë Financiare, për pesë vite me radhë pronari i “Pin Petrol” ka qenë në dijeni se nuk paguhej taksa, por nuk ka ndërmarrë asgjë.

E dyta në listën e të dyshuarve është kushërira e ish-ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski – Gabriela Spasovska Krstevska – e cila ishte e punësuar në Postën e Maqedonisë. Sipas policisë, ajo ka përvetësuar për vete paratë që ishin destinuar për pagesë në Ndërmarrjen për Rrugët Shtetërore, duke përdorur urdhërpagesa të falsifikuara.

Paratë është dashur të transferoheshin në llogarinë e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore përmes Postës kontraktuese, për çka ajo kishte obligim sipas kontratës së punës me “Pin Petrol” dhe kontratës për kryerje të pagesave për taksën rrugore mes “Pin Petrol” dhe ndërmarrjes publike, thuhet nga Policia Financiare.

Kompania “Pin Petrol” nga Kumanova deklaroi se Gabriela Spasovska Krstevska dhe ngjarja penale nuk kanë lidhje me ta. Ata thonë se kanë pasur kontratë me Postën e Maqedonisë dhe se të gjitha përgjigjet duhet të kërkohen nga ajo institucion.

“Të gjithë dokumentacionin për subjektin tonë juridik ia kemi dorëzuar organeve kompetente, nga të cilët kemi marrë konfirmim se nuk kemi asnjë lidhje me këtë rast”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Nëpunësja nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore është e treta e dyshuar. Sipas dyshimeve të Policisë Financiare, ajo ka dështuar të ushtrojë kontroll dhe mbikëqyrje mbi mospërputhjet ndërmjet të hyrave nga stacioni teknik dhe pagesave të bëra në llogarinë shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *