Në fillim në shqip, pastaj në maqedonisht. Kështu e bëri betimin kryetar i ri i Kuvendit Afrim Gashi.

Në momentin kur ndodhi kjo askush nuk reagoi, madje as deputetët e VMRO-DPMNE-së, por një ditë më pas Ministrja e Kulturës, tash deputete e LSDM-së, parti e cila dikur thirrej në sloganin “Një shoqëri për të gjithë”, ngriti parashtresë.

Bisera Kostadinovska-Stojçevska deri tek shërbimet për Mbikëqyrje inspektuese pranë Ministrisë së Kulturës bëri ankesë për shkak se konsideron se është shkelur ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase.

“Kjo nuk është goditje ndaj shqiptarëve apo gjuhës shqipe, por mosrespektim i ligjeve. Ai si Kryetar i Kuvendit të RMV-së ku jemi 120 deputetë nuk mund të jetë i gatshëm ta drejtojë kuvendin e RMV-së nëse në 5 minutat e para nuk i respekton ligjet që duhet ta mbizotërojnë atë Kuvend dhe nuk respektohet një prej ligjeve të fundit që e sollëm, që është ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase”, tha Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre e Kulturës / deputete LSDM.

Të pyetur për reagim për këtë, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, thanë për TV21 se përdorimi i gjuhës shqipe garantohet me kushtetutë dhe se këtë të drejtë do ta përdorë gjatë gjithë mandatit të tij.

“Kryetari i Kuvendit e ushtron të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar, e cila garantohet me kushtetutë, me ligjet në fuqi dhe rregulloren e Kuvendit. Këtë të drejtë ligjore ai do ta ushtrojë gjatë gjithë mandatit. Kryetari Gashi është i përkushtuar të garantojë se të gjitha procedurat parlamentare, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ligjet, ta respektojnë dhe promovojnë shoqërinë tonë multikulturore”, thonë nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit.

Për një qëndrim rreth ankesës së bashkëpartiakes së tij, e pyetëm edhe Fatmir Bytyqin, të vetmin deputet shqiptar në LSDM, por nuk morëm përgjigje.

Përndryshe, në ditën kur e bëri betimin, Gashi, pasi u ul në kolltukun e të parit të Parlamentit, u shpreh se do të kujdeset që çdo deputeti t’i garantohet e drejta për t’u shprehur dhe se përkatësia e tij e vetme do të jetë që asnjë deputet të mos diskriminohet.

Gashi për kryetar të Kuvendit u propozua me nënshkrimet e 75 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe “Lëvizja ZNAM”.Tv21

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *