Ndërmarrja komunale “Standardi” në Dibër ka filluar me një aktivitet për zbulimin e lidhjeve ilegale të ujit. Dibra ku sipas të dhënave oficiale është një ndër qytetet ku ka humbje të mëdha të ujit për shkak të rrjetit të vjetër të ujësjellësit në pjesën më të madhe të tij ballafaqohet edhe me vendosjen e lidhjeve ilegale. Është një dukuri e cila i shkakton dëme të mëdha rrjetit të ujësjellësit por edhe dëme materiale ndërmarrjes publike që menaxhon me ujësjellësin Rosok–Dibër.
Drejtori i ndërmarrjes publike “Standardi”, Burim Kaba për gazetën KOHA thotë se aksioni ka filluar dhe realizon aktivitetet për detektimin e linjave të egra me shumë sukses. “Deri tani janë zbuluar dhjetëra lidhje ilegale edhe atë nga persona fizik. Dukuria është në disa pjesë të Dibrës dhe besohet se detektimi do të jep rezultate. Nuk mundemi të inkasojmë mjete për një pjesë të madhe të ujit. Kemi formuar një ekip ekspertësh për detektim dhe ai punon me sukses. Ata që kanë bë lidhje jolegale do të përgjigjen në përputhje me ligjin. Presim që efektet të aktivitetit në fjalë do të ndjehen shumë shpejt”, thotë drejtori i ndërmarrjes komunale Burim Kaba. Ai sqaron se ekipi i ekspertëve që bën detektimin e lidhjeve ilegale, është optimizëm se do të zbulohen të gjithë lidhjet joligjore, dhe apelon tek banorët e Dibrës të paraqesin edhe vetë raste ku ka lidhje jolegale. Lidhjet në fjalë drejtpërdrejtë ndikojnë në humbjet e ujit, meqë për ata nuk ka evidencë në ndërmarrjen publike. Është për të theksuar fakti se për këtë problem është debatuar edhe në Këshillin e komunës Dibër, ku këshilltarët kanë kërkuar masa rigoroze për ata të cilët në mënyrë jo ligjore bëjnë lidhjet në fjalë.
Drejtoria e ndërmarrjes publike ka një përkrahje të madhe për këtë aktivitet edhe nga komuna Dibër. Kur jemi tek aktivitetet e ndërmarrjes publike në lidhje me stabilitetin e furnizimit me ujë po ashtu janë ndërmarr të gjithë masat për të ndaluar edhe keqpërdorimin e ujit për pije për të vaditur sipërfaqe të gjelbra por edhe pjesë të fushës së Dibrës. Kontrollet janë të rrepta thonë në drejtorinë e ndërmarrjes publike. Ne sektorin për furnizim me ujë potencojnë se janë ndërmarr shumë aktivitete edhe për furnizimin të rregullte me ujë edhe pse është shtuar përdorimi i ujit në temperaturat shumë të larta ka mundësi që të sjell edhe mungesë të ujit. “Kemi aktivitete të rregullta që të furnizojmë qytetin me ujë pa restrikcione. Pasi kjo situatë vazhdoi kështu, me temperaturat e larta dhe shfrytëzimi i ujit rritet , vendosëm edhe restrikcione të ujit nga tre orë në ditë deri në përmirësim të situatës”, thotë drejtori i ndërmarrjes publike. Ai shton se uji i ujësjellësit Rosok – Dibër, i cili shfrytëzohet përveç Dibrës edhe në fshatrat të Komunës Qendër Zhupë, është shumë i pastër dhe kontrollohet rregullisht. Këto ditë ndërmarrja komunale ka filluar edhe të bëjë larjen e rrugëve qendrore të Dibrës, po jo vetëm ata. Drejtoria ka informuar se larja bëhet me një orar të përcaktuar dhe tani në rrugët me shumë në frekuencë nuk ka pluhur. Larja ndikon pozitivisht edhe në freskinë e rrugëve të qytetit. Në ndërmarrjen publike poashtu për shkak të temperaturave teje të larta është realizuar edhe dezinfektimi i kontejnerëve dhe koshave ku grumbullohen mbeturinat.