Askush të mos përzihet në pushtetin gjyqësor, porositën sot anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor Isamedin Limani dhe Aleksandar Kambovski, të cilët dhanë deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Limani dhe Kambovski nuk u përgjigjën se çka mendojnë për propozimin për shpërndarje të Këshillit Gjyqësor.

“Çdoherë kam besuar në pavarësi, në transparencë, llogaridhënie, përgjegjësi, luftë kundër korrupsionit. Shpresoj se këto bindje të mija do të trajtohen në këshill”, deklaroi Kambovski.

I pyetur se çka mendon për shpërndarjen e Këshillit, Kambovski tha se nuk ka çka të mendojë tani, sepse duhet të shqyrtohen propozimet e reja, ndërsa tani për tani nuk i din ato.

“Çdoherë është mirë gjqyësia të jetë e pavarur. Kjo është një nga autoritetet në shtet. Siç janë të pavarura autoritetet e tjera, edhe gjyqësia duhet të jetë e pavarur dhe vetë të vendosë për nevojat e veta”, shtoi Kambovski.

Ndërkaq gjyqtari Limani, iu referohet dispozitave ligjore dhe kushtetuese për pavarësinë e Këshillit Gjyqësor.

“Në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dihet se Këshilli Gjyqësor është organ i pavarur kushtetues i cili do të kudjeset për sigurimin e pavarësisë së Gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor duhet të sigurojë kushte që ajo pavarësi të jetë më transparente, dhe të mund të punojnë në mënyrë më efikase gjykatat”, deklaroi Limani.

As ai nuk u përgjigj nëse konsideron se Këshilli Gjyqësor duhet të shpërndahet, por tha se nëse duhet të bëhen reforma të tjera, Kuvendi është ai i cili mund ta ndryshojë Kushtetutën.

“Sepse krijuesi i Kushtetutës, Kuvendi është ligjvënës dhe krijues i Kushtetutës, ata kanë kompetencë nëse e ndryshojnë kushtetutën sepse dihet se amendamentet që janë sjellë në vitin 2006 se gjyqësori është autoritet i pavarur, por ata mund ta ndryshojnë kushtetutën, mund të sjellin edhe reforma të tjera”, tha Limani.

Gjyqtari nga Gjykata supreme, Isamedin Limani dhe gjyqtari nga Gjykata e Apelit Manstir, Aleksandar Kambovski u zgjidhën në 6 qershor të këtij viti pasi që gjykatësit votuan për kandidatët nga zona e tyre e apelit. Për Limanin votuan shtatë gjykatës, ndërsa Kambovski u zgjodh për anëtar të Këshillit Gjyqësor me gjithsej 28 vota të fituara.

Në pajtim me ligjin për Këshill Gjyqësor, anëtarët e Këshilli nga radhët e gjykatësve kanë mandat prej gjashtë viteve, me të drejtë rizgjedhjeje për edhe një mandat pas skadimit të së paku gjashtë viteve nga ndërprerja e mandatit paraprak në Këshillin Gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *