Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Angella P. Ageler, ambasadore e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast i përshëndeti marrëdhëniet shumëvjeçare dhe të forta bilaterale ndërmjet të dy vendeve dhe më pas e theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat janë me interes të përbashkët për të dyja vendet.
Ai shprehu mirënjohje në emër të vendit për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila vlerësohet shumë në vend. Një shtyllë e fortë në bashkëpunimin bilateral është Deklarata për Partneritetin Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së nga viti 2008, si dhe Dialogu Strategjik ndërmjet të dy qeverive nga viti 2022.
Kryetari Gashi theksoi se roli i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Në këtë kornizë, ai informoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e kryeson Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe nga 18 deri më 20 qershor 2024 në Kuvend do të mbahet Sesioni i 11-të Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që paraqet një tjetër shenjë të përkushtimit të vendit për thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për integrimin euroatlantik dhe evropian, si dhe për mbështetjen e konsiderueshme për avancimin e proceseve politike në vend.
Ambasadorja Agileri falënderoi për takimin dhe theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është një nga institucionet më të rëndësishme në vend. Ajo u shpreh e kënaqur për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të zhvilluara me sukses në vend, të cilat ishin të drejta, të lira dhe demokratike.
Ajo e rikonfirmoi vullnetin e SHBA-së për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të dy vendeve, si dhe pritshmëritë për vazhdimin e zbatimit të reformave në vend me qëllim të sundimit të mirë të së drejtës, reformave në sistemin e drejtësisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se në të ardhmen duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje çështjeve ekonomike me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor të të gjithë qytetarëve, përmirësimit të sistemit arsimor dhe tërheqjes të më shumë investimeve të huaja në mënyrë që Republika e Maqedonisë së Veriut të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe t’i tejkalojë sfidat e vështira me të cilat përballet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *