Shkup, 28.05.2024 – Nga Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Të dashur kolegë deputetë dhe të nderuar drejtues të partive politike,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare në vendin tonë,
Të dashur qytetarë dhe përfaqësues të mediave,
Zonja e zotërinj,

Sot, kur po e pranoj përgjegjësinë e drejtimit të këtij kuvendi, më duhet fillimisht të shpreh falënderimin tim të thellë dhe mirënjohjen time të lartë, fillimisht për votuesit, që me të drejtën demokratike të votës na kanë mandatuar për të qenë përfaqësues të tyre, ndërsa me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë deputetët që me votën e tyre mbështetëse, por edhe kundërshtuese ose abstenuese, ishin pjesë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është bukuria e agorës së demokracisë sonë dhe unë jam pafundësisht mirënjohës për të gjithë deputetët që me deklarimin e tyre kundrejt këtij vendimi e ngjyrosin demokracinë tonë me nuancat e diversitetit të mendimit të tyre të lirë dhe lirisë së të shprehurit. Ju faleminderit të gjithëve!

Meqë ky është mandati im i tretë si deputet dhe viti i tetë i përvojës sime parlamentare, mund t’ju them se kam pasur jo vetëm fatin, por shumë shpesh edhe vështirësinë, që në këtë sallë të jem në rolin e deputetit të pushtetit dhe deputetit të opozitës. Andaj, nëse jo më mirë se shumë prej jush, atëherë gjithsesi mjaft mirë e kuptoj rolin e secilit deputet dhe kjo më bën njëherazi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që me detyrën që po e marr mbi vete të mundësoj që secilit deputet të këtij parlamenti t’i garantohet mundësia për t’u shprehur, t’i garantohet e drejta e fjalës dhe e drejta e qëndrimit politik.

Ndonëse unë jam këtu me përkatësinë time politike, etnike e religjioze, madje nesër – me qeverinë në ardhje që po kompozohet mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN – do të jem pjesë e shumicës qeveritare, si kryetar i Kuvendit përkatësia e vetme e imja do të jetë garancia që asnjë deputet të mos ndjehet i papërfaqësuar ose, mos dhashtë Zoti, i diskriminuar. Pas këtyre dy dekadave demokraci, ne të gjithë duhet të dëshmojmë se kemi arritur pjekuri të mjaftueshme që ta respektojmë mendimin ndryshe, të dëgjohemi mes vete, edhe kur nuk pajtohemi këtë ta bëjmë me argumentim dhe duke e respektuar dinjitetin e tjetrit dhe, përgjithësisht, si shoqëri para qytetarëve që na ndjekin të përdëftojmë se ne jemi përfaqësimi më i mirë i kësaj shoqërie ose, në një mënyrë, Maqedonia e Veriut në miniaturë.

Shumë të dashur deputetë dhe qytetarë të nderuar, vitin e kaluar isha në SHBA dhe kisha mundësi ta takoj ish Sekretarin e Shtetit, i cili ndërroi jetë vetëm disa muaj më pas, diplomatin e pazëvendësueshëm Henri Kisinxher. Derisa sot po ju drejtohem, ai më vjen në mendje me fjalinë e tij shumë frymëzuese, të cilën po e them njësoj si ai në vetën e parë: “Unë besoj në lirinë e shprehjes dhe besoj se shoqëritë lulëzojnë vetëm kur e lejojnë lirinë e shprehjes.”.
Si njeri, si politikan dhe si deputet e kam mendimin tim politik dhe për të do të angazhohem gjithnjë, por si kryetar Kuvendi do të jem këtu që të siguroj se vendi ynë dhe shoqëria jonë do të lulëzojnë pikërisht sepse e respektojnë lirinë e shprehjes.

Kolegë të dashur deputetë, fushata zgjedhore tashmë ka përfunduar. Sot kemi një kuvend me një përbërje të re parlamentare dhe me një shumicë që shumë shpejt do ta krijojë edhe qeverinë e re. Prandaj, sfida jonë tashmë nuk është ballafaqimi dhe kundërshtimi sipërfaqësor me terma të fushatës parazgjedhore, sepse kjo përfundoi më 8 maj, por tash para nesh hapet një perspektivë e re, kur qytetarët presin nga ne të dëshmojmë punë, përkushtim dhe angazhim për atë që e kemi premtuar. Rrjedhimisht, detyrimi ndaj qytetarëve dhe respektimi i tyre duhet të jetë strumbullari rreth të cilit duhet të sillet secili nga ne.

Në fakt, eksodi i të rinjve mund të ndalet vetëm nëse ne gjatë këtij mandati prodhojmë ligje dhe mundësi që ata të mund të krijojnë jetë dinjitoze në vatrat e tyre. Madje, për mua si optimist i paepur, nuk është fare e tepërt të them se ne kemi mundësi të artë që shumë mërgimtarë tanë t’i kthejmë në shtëpitë e tyre nëse vërtet i përmbushim premtimet tona për ngritje të standardit të jetesës. Zaten, çfarë kuptimi ka angazhimi ynë publik e politik nëse kjo nuk përkthehet në përfitim për qytetarët?! Ne të gjithë kemi shpjegime për të kaluarën, kemi argumente se kush ka pasur më shumë e më pak faj për gjendjen në të cilën jemi, por unë dua t’ju them se debati për të kaluarën nuk është diskursi që duhet ta zhvillojnë politikanët e, aq më pak, deputetët në parlament.

E kaluara është material i mirë për historianët, por jo për politikanët. Sepse gjëja e vetme që nuk ndryshon është e kaluara.

Nga ne kërkohet të japim zgjidhje për të ardhmen e jo shpjegime për të kaluarën. Nëse nuk e bëjmë këtë, por vazhdojmë të krekosemi ose akuzohemi për të kaluarën, kjo nuk u bën asnjë dobi qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja që t’ju ftoj të gjithëve të bashkohemi në vijat e përgjithshme të interesit qytetar, siç është integrimi në Bashkimin Europian, mirëqenia ekonomike, shteti i së drejtës, reformimi i arsimit, barazia mes komuniteteve, mbrojtja e familjes dhe mbrojtja e mjedisit. Këto janë shtyllat në të cilat duhet të bashkohemi dhe unë jam shumë i bindur se nëse dimë dhe duam, ne kemi shumë pika që na bashkojnë dhe kjo është një mundësi që ne të bashkëpunojmë, ndërsa kemi pak gjëra që na ndajnë dhe kjo është një mundësi që ne të tolerohemi dhe ta respektojmë të drejtën e demokracisë për të vendosur shumica.

Si shkupjan që sjell kulturën urbane në këtë kuvend, si shqiptar që di të respektojë dhe që pret respekt të ndërsjellë dhe si qytetar i këtij shteti që e njeh realitetin juridiko-kushtetues të këtij shteti, si dhe realitetin multientik të shoqërisë sonë, edhe njëherë dua t’ju falënderoj për mbështetjen, duke iu lutur Perëndisë që Ai ta bekojë këtë Kuvend, ta bekojë punën tonë dhe të na ndihmojë që të jemi në shërbim të njerëzve pa dallim partie, etnie, religjioni e gjinie.

Edhe njëherë ju faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *