Pas propozimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykatësi i procedurës paraprake sot i ka caktuar masa të sigurisë Ixhet Memetit, i dyshuari i dytë në hetimin lidhur me marrjen e ryshfetit, për ndikim në një rast, në të cilën i dyshuar i parë është gjykatësi suprem Naqe Georgiev.

Ixhet Memeti ka për obligim rregullisht të paraqitet në gjykatë, i është marrë pasaporta dhe nuk ka të drejtë të nxjerrë të re.

Në një prononcim për media para Gjykatës Penale, Memeti ka thënë se është në interes të të gjithëve që procedura të përfundojë sa më shpejt.

“Është në interesin tim dhe interesin e publikut që autoritetet të përfundojnë punën e tyre sa më shpejt. Kjo sigurisht që më prek mua si qenie njerëzore, megjithatë nuk është mirë të flas para mediave për një çështje që po zhvillohet në gjykatë. Ju siguroj se do të përfundojë shumë shpejt dhe do të dalë se nuk kam bërë asgjë kundërligjore”, tha Memeti.
Për raportet me gjyqtarin suprem Georgiev, ai tha se i njeh të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe është mik me ta, por se nuk ka biseduar për lëndët.

Ndryshe, më herët, Gjykata Penale i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh gjyqtarit suprem Naqe Georgiev, për shkak të ekzistimit të dyshimeve se mund të pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethanat që tregojnë se do ta kryejë apo përsërisë veprën penale. Ai së bashku me Memetin, dyshohet se kanë marrë ryshfet për të ndikuar në një proes gjyqësor kundër kryetarit të Novo Sellës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *