Pas reagimeve të fundit në opinion publik lidhur me mungesën e përkohshme të gjuhës shqipe në faqen zyrtare të Komisionit për Mbrojtje të Konkurrencës, ka reaguar anëtari i Komisionit, Valon Elezi, duke dhënë sqarime mbi situatën.

Sipas Elezit, faqja e mëparshme e institucionit ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, duke u bërë jofunksionale për një periudhë të caktuar. Si pasojë, është marrë vendim për ndërtimin e një faqeje të re nga fillimi, përmes një shërbimi të jashtëm IT, për shkak të mungesës së stafit të specializuar brenda institucionit.

Ai thekson se versioni aktual i publikuar është ende në fazë zhvillimi dhe plotësimi. Fillimisht është aktivizuar versioni në gjuhën maqedonase për arsye teknike dhe operative, ndërsa përmbajtja mbetet në proces të vazhdueshëm përditësimi.

Elezi mohon kategorikisht pretendimet për largim të qëllimshëm të gjuhës shqipe apo qasje diskriminuese, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Sipas tij, përfshirja e gjuhës shqipe është pjesë e planit zhvillimor dhe do të realizohet shumë shpejt, paralelisht me kompletimin e faqes.

“Bëhet fjalë ekskluzivisht për një çështje teknike dhe nuk ka të bëjë me asnjë qëllim për të kufizuar përdorimin e gjuhës shqipe”, thekson ai.

Në fund, Elezi apelon për maturi në reagime dhe verifikim të fakteve përpara nxjerrjes së përfundimeve që nuk reflektojnë realitetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *