Në muajin e parë të zbatimit të sistemit policor “Safe City” u pa se gjendja në komunikacion po lëviz drejt përmirësimit. Por, a funksionon gjithmonë sistemi siç duhet, a ka paqartësi dhe gabime?

Gjatë këtij muaji, në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë paraqitur gjithsej 476 ankesa për inicim të procedurës kundërvajtëse, prej të cilave 431 nga persona juridikë dhe 45 nga persona fizikë. Për to po veprojnë 16 gjyqtarë nga Departamenti për Kundërvajtje.

Deri në këtë moment, gjykata nuk ka marrë asnjë vendim të formës së prerë lidhur me kundërvajtjet në komunikacion të evidentuara përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, për të cilat qytetarët apo personat juridikë kanë paraqitur ankesë, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pjesa më e madhe e ankesave kanë të bëjnë me kundërvajtje që lidhen me shpejtësi të papërshtatur, kalim në semafor të kuq dhe drejtim të automjetit të paregjistruar. Si sfida më të theksuara veçohen ankesat e paraqitura nga kompanitë e lizingut për automjete të dhëna në përdorim mbi bazë të kontratës së lizingut, si dhe ankesat nga qytetarë që më parë i kanë tjetërsuar automjetet e tyre, por nuk i kanë çregjistruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *