Zv.kryeministri Arben Fetai, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit në Gostivar, për ta kthyer në rigjykim lëndën për Aleancën për Shqiptarët.
“Me këtë vendim të gjykatës së Apelit të Gostivarit, të cilin e kemi përshëndetur të gjithë nga Aleanca për Shqiptarët, besoj se po merr fund ngadalë një përpjekje e dëshpëruar e një klile të vogël zyrtarësh, ish bashkëpartiak tonë, të cilët e shitën idealin tonë në BDI dhe u bënë hyzmeqar të BDI-së për të kontrabanduar vulat e partisë dhe për t’i vënë ato në dispozicion të BDI-së. Tani me këtë vendim, lënda rikthehet në Gjykatën e shkallës së parë në Tetovë. Dua të theksoj se çdo pikë e ankesës sonë lidhur me këtë lëndë ku kishte qindra falsifikime, manipulime, shantazhe mbi anëtarësinë, mbi anëtarët e kongresit, mbi gjithë anëtarësinë e ASH, mbi të gjitha presione të hatashme mbi sistemin gjyqësor, dështoi dhe tani gjykata e Tetovës duhet të sjellë vendim të ri, marrë parasysh pikat në në cilat kemi ankimuar për falsifikimet e ndryshme në përbërjen e anëtarëve të kongresit të partisë, të kuvendit të partisë. E kemi thënë vazhdimisht se ne e kemi shumicën dhe e kemi faktuar këtë. Falsifikimi, presioni nuk kaloi. Vendimi do të jetë në favor të Aleancës për Shqiptarët dhe jo siç ishte rasti gjatë pushtetit të BDI-së, në funksion të disa zyrtarëve të cilët u përpoqën ta kontrabandojnë partinë, ta shesin partinë në BDI dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet”, tha Fetai për gazetën LAJM.