Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri ka njoftuar opinionin se së shpejti do të rikthehet në funksion ndërtesa kryesore e Postës në Shkup.
“Një nga objektet më të rëndësishme të infrastrukturës së qytetit, ndërtesa qëndrore e Postës në Shkup, së shpejti do të rikthehet në funksion. Ky objekt, me një rëndësi të veçantë kulturore, është pjesë e pandashme e identitetit të kryeqytetit dhe vendit.
Shërbimet postare janë thelbësore për qytetarët, ndërsa rinovimi i kësaj ndërtese mundëson jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë sonë, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të asistencës.
Padyshim se nuk do të lëmë të pambrojtura edhe trashëgimitë tjera kulturore në Maqedoninë e Veriut. Ne do të kërkojmë edhe mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian për projektet tona ambicioze, që do të kontribuojnë për realizimin e rinovimit dhe mbrojtjen e objekteve. Për ta respektuar rëndësinë kulturore, ne do të sigurohemi që bashkë me BE ky projekt të realizohet me standardet më të larta.”, ka shkruar Zekolli-Shaqiri.