Lideri i Alternativës nga koalicioni VLEN, Afrim Gashi, në një intervistë për “360 gradë” në TVM 1, thotë se emocionet e zgjedhjeve duhet lënë anash, duke folur për betimin e presidentes Gordana Siljanovska Davkova e cila nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit gjatë aktit ceremonial në Kuvend. Sipas Gashit, ajo ka të drejtën e mendimit të saj, por derisa ushtron pozitën për të cilën është zgjedhur, duhet ta përdor Maqedoninë e Veriut sepse, siç thotë ai, ka implikime për të gjithë vendin. Mirëpo, është mirë që presidentja nënshkroi betimin ku shkruhet emri kushtetues i shtetit, beson ai.

“Do të duhet të ulemi dhe të diskutojmë nëse kjo është shkelje e Marrëveshjes së Prespës apo jo. Me sa dimë dhe kemi biseduar me VMRO-DPMNE-në për këtë temë, ata duan të respektojnë edhe Marrëveshjen e Prespës. Është një akt i përfunduar”, tha Gashi.

Lidhur me çështjen nëse Marrëveshja e Prespës obligon që edhe gjatë të folurit të përdoret doemos emri Maqedonia e Veriut, Gashi tha se

“Kjo do të jetë dilema për këtë temë. Ne si VLEN dhe unë personalisht do të përdorim emrin kushtetues dhe presim që kjo të qartësohet. Nëse ka interpretime të ndryshme, duhet të flasim me fqinjët tanë, të respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të vazhdojmë rrugën evropiane”, u përgjigj Gashi.

I pyetur se a është hapur kjo temë me VMRO-DPMNE-në në takimin e mbajtur këtë fundjavë, Gashi thotë se është biseduar për konceptin e ri të drejtimit të vendit dhe ka shprehur pritjen që të pranohen Marrëveshja e Ohrit, Prespës dhe me Bullgarinë dhe të respektohen.

“Mendoj se jemi në të njëjtën linjë. VMRO-DPMNE është parti serioze dhe e dinë se ajo që është ratifikuar nuk mund të kthehet. Por ata mendojnë se në pjesën e shprehjes verbale këtë e rregullon marrëveshja dhe është e lirë të interpretohet. Mendoj se kjo është një çështje që duhet sqaruar. Nuk mendoj se kemi nevojë për reagim histerik nga askush dhe duhet të respektojmë edhe marrëveshjet”, tha Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *