Bota është e rrumbullakët dhe sillet pandërprerë. Simbolika e këtij fakti është dëshmuar miliona e miliona herë në realitet. Sigurisht që po dëshmohet së fundmi edhe në kontekst të zhvillimeve politike tek shqiptarët në Maqedoni.Si po ndodh kjo? Ja për shembull: Dikur shqiptarët ankoheshin nga vendimet e gjykatave, në raste të montuara politike, sot po ankohet BDI-ja. Ose thënë më troç, dikur shqiptarët qanin nga (pa)drejtësia e gjykatave, tani po “qanë” BDI-ja! Dallimi është i madh. Kur qanin shqiptarët nga drejtësia e padrejtë e gjyqësorit, bëhej fjalë për raste ku vendosej nëse familjarë të tyre do të dënohen me dënime drakonike, deri në dënime të përjetshme, në raste pak ose aspak të bazuara në fakte e dëshmi konkrete, shkruan Zhurnal.
BDI nuk i ka hallet që i kanë pasur familjet shqiptare të ngatërruara në labirinthet e gjyqësorit. Halli i BDI-së sot është edhe më i “madh”: do të jenë apo nuk do të jenë në pushtet? Do të vazhdojnë të shfrytëzojnë beneficionet e pushtetit, veturat zyrtare, kartelat zyrtare bankare, apo do të duhet të voziten me veturat e tyre private, të paguajnë nga xhepi i tyre dhe të jenë të privuar nga shumë benifite tjera të pushtetit. Dhe normal kur rrezikon t’i humbasësh gjithatë këto benifite, kuptohet se do “kapesh” tek fraza e harruar që nga viti 2008, se se po rrezikohet interesi i shqiptarëve. E pastaj të bësh lloj –lloj krahasime, madje edhe me Bosnje Hercegovinën e viteve të 90-ta. Nga një parti që refuzonte të komentojë vendimet e gjykatave, sepse “gjyqësori është i pavarur nga politika”, BDI tani është bë parti që komenton vendimet e gjykatave dhe paralajmëron për pasoja prej tyre, ende pa u shpallur ato vendime.
Kjo nuk është e tëra! Pritni pritni, sepse loja ende nuk ka filluar!
Funksionarët e BDI-së tani ndoshta do e përjetojnë në lëkurën e tyre sa e hidhur është shija kur dëshiron të protestosh para Qeverisë, Kuvendit, ose Gjykatës, por policia për shkak të “vlerësimeve të sigurisë” nuk të lejon të protestosh përtej Bit Pazarit ose Qendrës Tregtare Mavrovasja. Këtë shije të hidhur e kanë shijuar shqiptarët në shumë raste brenda intervalit kohor sa ishte BDI në pushtet. Tani ndofta do të ndodhë e kundërta.
Osmani: Qeveria pa shqiptarë legjitimë është njëjtë si qeveri pa shqiptarë
Qeveria pa shqiptarë legjitimë është njëjtë si qeveri pa shqiptarë, tha Bujar Osmani.
Osmani në “Kanal5” thotë se koalicioni VLEN që tani po bisedon me VMRO-DPMNE-në për formimin e qeverisë së re, nuk është përfaqësues legjitim i shqiptarëve, ndërsa theksoi se vullneti i shqiptarëve u tregua në zgjedhjet e 8 majit, ku sipas tij, në kampin politik shqiptar fitoi Fronti Europian.
Për fat të keq na kthehet tema bazë, marrëveshja mes popullit maqedonas dhe popullit shqiptar nga 2001-shi, se do të respektohet vullneti i shqiptarëve, respektivisht se nuk do të majorizohen shqiptarët gjatë vendimmarrjes, shfuqizohet dhe kthehemi në situatën zero, në të cilën kuptohet se do të paraqiten njerëz që do të japin ide se si tutje.
Mund që dikush siç thash, të thotë ejani post-etnike, nuk do të ketë bashkësi etnike, qytetare. Nuk do të funksionojë, nuk do të funksionojë sepse fillimisht unë jam i bindur që energjia etnike duhet të adresohet në mënyrë institucionale, kjo nuk mund të injorohet. Çështja është nëse duhet të ketë bazë, nëse duhet të fillojë të funksionojë sistemi i meritokracisë? Kjo është çështje diskutimi, unë e di se në Jugosllavi, u përpoqën përmes sistemit vëllazërim bashkimi të suprimohen energjitë etnike, dhe çfarë ndodhi, asnjëherë nuk u suprimuan, vetëm u vendosën nën qilim, që të dalin në mënyrën më të përgjakur në vitet 90-të, posaçërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Marrëveshja e Ohrit solli model tjetër, adresim të energjisë etnike në mënyrë institucionale”, theksoi mes tjerash Osmani.
VMRO dhe VLEN nuk po tronditen shumë nga deklarimet e BDI-së!
VMRO-DPMNE dhe VLEN e kanë bë të qartë se nuk e kanë ndërmend të tronditen shumë nga deklarimet e BDI-së, sado që ato deklarime herë pas herë kanë formën kërcënuese. Delegacionet e këtyre dy partive po zhvillojnë bisedime, që sa më shpejtë të formohet qeveria e re. Në këtë drejtim po përmenden edhe emra konkretë, shkruan Zhurnal.
Burimet tona flasin që VLEN do të ketë deri në 30% të pushtetit.
Jozyrtarisht flitet që edhe posti i kryetarit të Kuvendit do t’i takojë VLEN-it, por ende nuk është definuar. Sipas burimeve partiake, dy kandidatët e mundshëm të VLEN-it për këtë post janë kryetari i Alternativës Afrim Gashi dhe Halil Snopçe nga ASH-krahu i Taravarit.
Ndryshe, së fundmi Valbon Limani nga VLEN në Dialy Click në TV21 tha se një nga kërkesat e VLEN-it në bisedime për bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në është edhe posti i kryeparlamentarit. Limani u shpreh i bindur se do të arrihet marrëveshja që këtë post ta drejtojë një shqiptar/e.
“Po është”, tha Limani nga VLEN.
TV21: A ka përballje me VMRO-në që nuk e lëshon këtë si pozicion?
“Jo, besoj se do të arrihet marrëveshje për atë”, pohoi Limani.
Gjykata Administrative sot do të debatoj rreth padive të Frontit Evropian
Gjykata Administrative për sot janë caktuar shtatë institucione publike, në të cilat duhet të shqytohen paditë e parashtruara nga koalicioni “Fronti Evropian”, i kryesuar nga BDI-ja kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 8 maj.
Seanca e parë është caktuar në ora 10:30, ndërsa e fundit në ora 22:30. Seanca, siç qëndron në ueb faqen zyrtare, duhet të mbahen në hark kohor prej dy orëve.
Koalicioni “Fronti Evropian” në ditët e fundit në konferenca për shtyp akuzoi për inxhiniering zgjedhor, gjegjësisht se përmes KSHZ-së bëhet përpjekje që t’u merren një deri në dy mandate deputetësh.
Dje edhe kryeministri i Qeverisë teknike, Talat Xhaferi u bëri thirrje institucioneve që të veprojnë konform ligjit pas direktiva shtetërore nga cilado anë.
“Në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Republikës se Maqedonisë se Veriut dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, kam pranuar raporte nga pjesëmarrës në procesin zgjedhor për shqetësime në lidhje me tentativat për inxhiniering zgjedhor me marrëveshje ndërpartiake jashtë-institucionale për votim dhe mbivotim në Komisionin Shtetëror i Zgjedhjeve në lidhje me ankesat e dorëzuara simptomatike nga ana e pjesëmarrësve në zgjedhje”, tha Xhaferi në konferencë për shtyp në Qeveri.
Sipas rezultateve të para zyrtare për zgjedhjet parlamentare të cilat i publikoi KSHZ, koalicioni “Maqedonia juaj” kryesuar nga VMRO-DPMNE ka fituar më së shumti mandate deputetësh 58, pas çka vijojnë koalicioni Fronti evropian i kryesuar nga BDI me 19 mandate, koalicioni për Ardhmërinë evropiane i kryesuar nga LSDM 18, koalicioni VLEN, 13, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe E Majta nga gjashtë mandate deputetësh./Zhurnal