Pesëdhjetë e nëntë deputetë, për herë të parë pas një pauze të gjatë, iu bashkëngjitën nismës për dhurimin e gjakut. Qëllimi i kësaj nisme ishte sensibilizimi i opinionit, sepse kërkesa për njësi të gjakut në vitin 2024 është rritur për 10%, për dallim nga viti i kaluar.

Në vitin 2023, në numra janë mbledhur gjithsej 56 mijë njësi gjaku. Kurse vetëm gjatë këtyre shtatë muajve të parë të këtij viti janë bërë 3.000 kërkesa më tepër se vitin paraprak, që flet për diku rreth 6.000 njësi gjaku, bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit për Transfuziologji.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, një ditë më parë ftoi deputetët e Kuvendit dhe të punësuarit tjerë që të dhurojnë gjak për njerëzit në nevojë.

“Për herë të parë pas një pauze të gjatë në Parlamentin e RMV-së organizohet një aksion i gjakdhënies, që është vullnet i mirë i kryetarit të Parlamentit dhe stafit për transfuziologji dhe jep një mesazh pozitiv për punonjësit e Kuvendit dhe popullatës në tërësi që çdo njeri i shëndoshë mund të dhuroj.”, – deklaroi deputeti nga radhët e koalicionit VLEN, Bekim Sali.

Por, ishin të pakët qytetarët që u ka rënë ndër mend të dhurojnë gjak. Vetëm në momente kritike ata e kanë kuptuar se dhurimi i gjakut shpëton jetë.

“Nuk kam dhuruar gjak! Kur isha i ri, në ushtri desha të dhuroj, por e kam pasur gjakun e dobët. Gjithmonë problem tek unë ka qenë anemia. Është shumë e rëndësishme të dhurosh gjak, pasi e kam përjetuar në lëkurë, sepse bashkëshortja imë u sëmur rëndë dhe kishte nevojë për gjak, më duhej të gjeja donator që t’ia shpëtojmë jetën. Ky ishte momenti kur e kuptova se sa e rëndësishme dhe me vlerë është dhurimi i gjakut.”, – tha një qytetar.

“Nuk kam dhuruar gjak, por është shumë e rëndësishme, sepse shpëton jetë.”, – u shpreh një qytetar tjetër.

Pacientët me leukemi mieolite janë kategoria me e rrezikuar e pacientëve, që kanë nevojë të vazhdueshme për gjak.

Nga shoqata “Hema Onko”, me rastin e ditës ndërkombëtare të leukemisë mieolite, thonë se kjo leukemi është forma më progresive e leukemisë, andaj diagnostifikimi i hershëm dhe dhurimi i gjakut shpëton jetën e këtyre pacientëve.

Po ashtu nga kjo shoqatë u bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, që në listën pozitive të inkorporohen edhe ilaçet për këtë lloj leukemie.

“Fillimisht duhet të përfshihen në listën pozitive ilaçet për sëmundje që përfundojnë me fatalitet, siç është leukemia dhe llojet e saj, nga e cila humbën jetën shumë njerëz në të kaluarën.”, – theksoi Pepo Levi nga Shoqata e pacientëve me leukemi mieolite.

Nga shoqata “Hema Onko” thonë se ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për të gjithë njerëzit që vuajnë nga një lloj kanceri i gjakut, sepse njohja e simptomave të para dhe diagnostifikimi i hershëm mund të shpëtojnë jetën e pacientëve me leukemi mieolite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *