Zeqirija Ibrahimi, lider i Alternativës në intervistën e tij për Click Plus sqaroi se çfarë ka bërë BDI-ja në lidhje me gjuhën shqipe.
Ata, kanë gënjyer Edi Ramën dhe Hashim Thaçin se kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe, kur realisht shqipja në Maqedoninë e Veriut është gjuhë e përkthyer.
Ka avancim sa i përket përdorimit të saj në nivel të shtetit, por zyrtare është vetëm gjuha maqedonase.
“ Unë kam qenë në studion tuaj me eksponent të BDI-së në kohën kur është votuar Ligji për gjuhën shqipe. Dhe më duhet të kthehem tash prapë! U kam thënë edhe atyre, mos e gënjeni opinionin e gjuha shqipe është bërë zyrtare. Ata jo vetëm që e gënjenin opinionin tonë vendor, por e gënjenin Edi Ramën dhe Hashim Thaçin u thoshin se shqipja është zyrtare dhe ata dy bënin aplaus për suksesin që këta e bënin këtu. Realisht e kam thënë edhe atëherë, e them edhe sot, as në Kushtetutë e as në Marrëveshjen e Ohrit, këta nuk arritën që ta bëjnë gjuhën shqipe zyrtare. Për shkak se shteti në Maqedoninë e Veriut flet në maqedonisht. E kam thënë edhe atëherë, e them edhe sot, shqipja është gjuhë e përkthyer. Këta njerëz nuk kanë arritur që të bëjnë ligj me të cilin ta bëjnë shqipen në nivel të maqedonishtes. Dhe këta e kanë bërë gjuhën shqipe gjuhë të përkthyer, për nevoja të komunikimit. Ne e gjetëm këtë gjendje, nuk është se ne e shpikëm këtë gjendje. Ne e kemi votuar në vitin 2018 ligjin për gjuhët. Dmth edhe ajo ka qenë një lloj suksesi se e ka zgjeruar përdorimin e gjuhës shqipe. Por, nuk e ka zyrtarizuar. Andaj sot, ne po përballemi me trashëgiminë e dëmshme të BDI-së, rrjedhimisht edhe me ligjin e gjuhës. Edhe atëherë e thosha, a mund të hartohet një dokument në gjuhën shqipe në një komunë ku nuk ka asnjë bashkësi tjetër etnike. Vetëm shqiptarë janë, a lejohet të bëhet një dokument i tillë? Jo. Kur u thosha, ata atëherë reagonin si djalli prej temjanit. Ua bëja me dije se ju nuk e keni zgjidhur këtë punë. Në Maqedoni në Kushtetutë shkruan se kodi i vetëm i komunikimit është vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj kirilik. Kjo i bie që shteti nuk flet në asnjë gjuhë tjetër. Gjuhët e të tjerëve, këtu janë gjuhë të përkthyera. Kur ne e thoshim këtë gjë, ata na akuzonin se ne po e themi për arsye opozitare. Realisht sot e kuptojmë që ne e kemi gjetur gjendjen e këtillë. Shqipja është në këtë shkallë që e kemi avancuar, e kemi zgjeruar përdorimin e saj. Por shqipja nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut” ,deklaroi midis tjerash Ibrahimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *