Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë sulmet tokësore në qytetin Rafah të Gazës, duke deklaruar se në të kundërtën do të ushtrojë “presion të madh” në marrëdhëniet BE-Izrael, transmeton Anadolu.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se, “BE-ja i bën thirrje Izraelit të përfundojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në Rafah. Ky operacion pengon më tej shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe shkakton zhvendosje të mëtejshme, duke çuar në uri dhe vuajtje njerëzore”.
Në deklaratën e shefit të politikës së jashtme të BE-së thuhej se më shumë se 1 milion civilëve iu kërkua të evakuoheshin në vende që nuk konsideroheshin të sigurta.
“Ndërsa BE-ja njeh të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, Izraeli duhet ta bëjë këtë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të garantojë sigurinë e civilëve”, thuhet në deklaratë.
“BE-ja i bën thirrje Izraelit të përmbahet nga përkeqësimi i situatës tashmë të rëndë humanitare në Gaza dhe të rihapë pikën e kalimit Rafah. Vazhdimi i operacionit ushtarak të Izraelit në Rafah në mënyrë të pashmangshme do të ushtrojë presion të madh në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë theksohej se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 26 janar dhe 28 mars theksonin qartë se Izraeli duhet të lejojë dhe lehtësojë ndihmën humanitare për civilët dhe thuhet se: “Në këtë kontekst, BE-ja dënon gjithashtu sulmin e Hamasit në vendkalimin Karam Abu Salim (Shalom), i cili pengoi më tej dërgimin e ndihmave humanitare”.
Në deklaratë, u bëhet thirrje të gjitha palëve për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirim pa kushte të të gjithë pengjeve.
– Sulmi tokësor i Izraelit në Rafah
Ushtria izraelite nisi një sulm tokësor në rajonin Rafah të Gazës më 7 maj dhe njoftoi se kishte kapur anën e Gazës të portës kufitare me Egjiptin.
Kabineti izraelit i Sigurisë më 10 maj miratoi gjithashtu vendimin për të “zgjeruar zonën” e sulmeve tokësore në qyteti Rafah.